MACPRO GENIUS 2018

Kolegji “Mehmet Akif” me përkrahje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) organizon MACPRO GENIUS në nivel të Kosovës.

ÇFARË ËSHTË MACPRO GENIUS?

Është një garë e projekteve në nivel të shkollave private dhe publike të Kosovës, e cila për qëllim ka zbulimin e shkencëtarëve të rinj dhe orientimin e tyre për projekte. Gara zhvillohet në këto kategori : art, mbrojtje e ambientit, dizajn industrial, IT, robotikë dhe dronë, film me metrazh të shkurtër dhe artikull. MACPRO, që për këtë vit është e pesta me radhë, deri më tani është organizuar vetëm në nivel të shkollave MAC, ndërsa këtë vit mund të marrin pjesë të gjitha shkollat në Kosovë.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Të gjithë nxënësit nga klasët e VIII-ta –XII-ta të të gjitha shkollave publike dhe private në Kosovë mund të aplikojnë në MACPRO GENIUS. Në një projekt mund të marrin pjesë më së shumti dy nxënës. Çdo projekt duhet ta ketë një drejtues ose udhëheqës.

SI TË APLIKOHET?

Aplikimi mund të bëhet online në adresën macpro.gulistankosova.com
Komisioni do t’i analizojë projektet e aplikuara dhe do t’u përgjigjet me shkrim në e-mail projekteve të pranuara në garë. Gjatë aplikimit duhet të bëhet një përmbledhje e shkurtër me shkrim (konspekt) i projektit. Aplikimet kanë filluar. Data e fundit për aplikim është 9 mars 2018

VLERËSIMI

Vlerësimi për shtatë kategoritë do të bëhet nga komisioni i jurisë, të shtunën më 17 mars, nga ora 08:00-15:00, në sallën e ekspozitave të Pallatit të Rinisë. Projektet të cilat e fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garë, në ditën e vlerësimit do t’i paguajnë 5 euro për pjesëmarrje. Projektet pjesëmarrëse të shkollave publike do të prezentohen në gjuhën shqipe, kurse projektet e nxënësve të MAC-ut do të prezentohen në gjuhën angleze.

SHPËRBLIMET

Në çdo kategori dy projektet më të mira do të shpërblehen me çmimin “Grand”( nga 100 €).
Ndërsa 20% i projekteve të rënditura në ranglistë do të shpërblehën me medalje të artë;
30% i projekteve me medalje të argjendtë,
30% i projekteve me medalje të bronztë dhe
20% i projekteve me çertifikatë nderi.
Dy projektet më të mira të garës do të fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në olimpiadat Genius në SHBA.

Projektet e nxënësve të MAC-ut dhe të pjesëmarrësve të tjerë do të vlerësohen dhe do të shpërblehen nga juria e veçantë në mënyrë të ndarë.

MIRËNJOHJE

  • Secilit nxënës pjesëmarrës do t’i jepet çertifikatë dhe medalje.
  • Shpërblimi “Grand” do të jetë nga 100 (njëqind) euro.
  • Nga projektet me çmimin “Grand” do të përzgjedhen dy projektet më të mira për të marrë pjesë në garën Genius në New-York të SHBA-së (shpenzimet e duhura për pjesëmarrje do të kompenzohen nga pjesëmarrësit).

KATEGORITË

  1. Art: Përfshin ngjyrosjen dhe dizajnin e afisheve-postereve.
    a) Ngjyrosja: Pranohen të gjitha vizatimet: me laps grafik, ngjyra, ngjyra vaji etj. Tema duhet të jetë për ambientin, mbrojtja e ambientit dhe vizatimet sensibilizuese dhe vetëdijësuese për ambientin.
    b) Dizajni në afishe: përfshin temat: ambienti, ndotja e ajrit, ngrohja globale, uji, përdorimi i ujit, të drejtat dhe mbrojtja e kafshëve.

  2. Ambienti: Punimet dhe projektet që vetëdijësojnë për ambientin, ajrin, ujin, dheun etj. Eksperimentet dhe vëzhgimet që do të bëhen duhet të paraqiten në afishe (poster).
  3. Dizajni industrial: Përfshin të gjitha idetë dhe zbulimet teknologjike në fushën e industrisë të cilat e lehtësojnë jetën. Duhet të prezentohen të gjitha modelet dhe dizajnet.
  4. IT: Përfshin programimin dhe web-dizajnin. Mund të shkruhet një projekt i ri me ndonjë gjuhë të programimit, ose një aplikacion kompjuterik dhe mobitel. Mund të dizajnohen web-faqe me temë të mbrojtjes së ambientit.
  5. Robotikë & Drone
    a) Robotikë: Edhe kjo fushë përfshin software dhe programet e aplikimit si dhe projektet Lego Robotics dhe Arduino.
    b) Dronë: Garë me dronë në një korsi të caktuar.
  6. Film me metrazh të shkurtër: Xhirime dhe animacione 3-7 minutëshe me temë: mbrojtja e ambientit dhe e natyrës, problemet shoqërore vendore dhe globale.
  7. Artikull: Artikujt duhet të flasin për problemet e ambientit (ajrin, ujin,dheun etj.) në nivel global dhe të ofrojnë zgjidhje për këtë problem. Artikulli duhet të shkruhet në gjuhën angleze 1-3 faqe dhe duhet t’i takojë vetëm një nxënësi. Nxënësit të cilët i kanë shkruar dy artikujt më të mirë (çmimi “Grand”) duhet t’iu përgjigjen pyetjeve të jurisë në lidhje me artikullin në gjuhën angleze.