7 dhe 8 Marsi

 Untitled-1Dita e mësuesit dhe dita e gruas, femrës dhe më të shenjtës nënë !

Shkrimtari ynë i njohur Sami Frashëri në librin e tij “Gratë” theksonte se:

Edukimi i një mashkulli është si një lis që jep hije kurse edukimi i një femre është si një lis që jep hije dhe fruta!

Kur lexojmë këto fjalë, menjëherë mendja na shkon tek nënat tona të dashura, ato të cilat lindin, risin, edukojnë dhe formësojnë bijtë e së ardhmes! Kur përmendim edukimin këtu hyjnë edhe mësuesit me punën e tyre të palodhur, dhe me rastin e ndërlidhjes së këtyre dy festave për njerëzit më të çmuar të jetës sonë,  fëmijët e Kolegjit Mehmet Akif – Prizren shfaqën programin  dedikuar për nënat tona dhe mësuesit tanë.

            Aq bukur u shpreh ndjenja e dashurisë ndaj nënës dhe mësuesit nga ana e nxënësve që nga klasa e parë e deri tek cikli i mesëm i lartë, sa të pranishmëve në sallë i sollën lotë gëzimi.

Zëri i bukur i fëmijëve kur recituan plot vargje për nënat dhe mësuesit, kur kënduan këngë aq të bukura, aktruan në skeçe e vallëzuan me veshje kombëtare si edhe emocionet që i shfaqën kur i shihnin nënat e tyre, ishte madhështore!

Ndjenjë e veçantë ishte befasia e fëmijëve kur pas përfundimit të shfaqjes i dhuruan nënave nga një dhuratë simbolike. Dhuratat ishin lule nga druri i përpunuar, të cilët nxënësit i ngjyrosën me duart e tyre të vogla e të arta dhe ua ngjitën nga një fotografi të vetes së tyre të shoqëruar edhe me vargje të bukura në një letër, që besojmë se do u mbeten kujtim përgjithmone!

Vërtet ishte një ditë festive, i duam nënat dhe mësuesit tanë, rrofshin gjatë e të lumtur!