Festohet 6 vjetori i pavarësisë së Kosovës në MAC-Prizren

6 vjet shtet ! Kosovë, je i pavarur !

Kur lexojmë këto fjalë, ndjejmë emocione të veçanta që frymojnë liri, ku vlerën e lirisë më së miri e njeh populli i Kosovës ! Këtë emocion e përjetoi dhe ua transmetoi të tjerëve edhe Kolegji “Mehmet Akif” në Prizren.

Më 14.02.2014 në objektet e MAC – Prizren u shfaq programi  dedikuar për 6 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Programi që zgjati rreth një orë e gjysmë, përfshinte nxënës nga cikli i mesëm i ulët dhe ai i mesëm i lartë.

Përmbajtja e programit ishte i pasuruar me tematika që nga historia e vuajtur e Kosovës e deri tek shpallja e pavarësisë, gëzimi i lirisë!

Në shfaqje ishin të ftuar edhe prindërit e nxënësve të kësaj shkolle të cilët i ndanë ndjenjat, herë me lot e herë me gaz së bashku me nxënësit dhe mësimdhënësit e kolegjit.

Emocion të veçantë sollën nxënësit e klasës 11 me marshin e UÇK-së ku e gjithë salla jehoi me zërin e marshit dhe duartrokitjet e pjesëmarrësve.

Recitale të ndryshme, vallja e vajzave dhe vallja e çunave, drama e Rozafatit, këngët e shoqëruara me veshje kombëtare, korri i shkollës i shoqëruar me flauta e sidomos skeçi gazmor ishin pikat të cilat transmetuan frymën e pavarësise, frymën e lirisë!